Ish-udhëheqësi i studentëve, Gabriel Boriç, do të jetë presidenti më i ri i Kilit

 

Ish-udhëheqësi i studentëve, Gabriel Boriç, 35 vjeç, do të bëhet presidenti më i ri i Kilit, pasi fitoi balotazhin presidencial të së dielës.

Me 99,95% të votave të numëruara, Boriç fitoi 55,87% të votave, duke siguruar fitoren ndaj kundërshtarit të tij të krahut të djathtë, Jose Antonio Kast, i cili pasoi me 44,13%, sipas Shërbimit Elektoral të Kilit.

Boriç do të betohet si president më 11 mars, shkruan CNN.

Më herët të dielën, Kast ia pranoi zgjedhjet Boriçit dhe përgëzoi kundërshtarin e tij “për triumfin e tij të madh”.

“Nga sot ai është presidenti i zgjedhur i Kilit dhe meriton gjithë respektin dhe bashkëpunimin tonë konstruktiv. Kili është gjithmonë i pari”, ka shkruar Kast në Twitter.

Duke folur me mbështetësit në selinë e tij të fushatës të dielën mbrëma, presidenti i zgjedhur Boriç falënderoi popullin e Kilit.

“Dua të filloj këtë moment historik, i cili është jashtëzakonisht emocionues, dhe që sytë e Kilit dhe të botës po shohin, duke falënderuar të gjithë kilianët që shkuan të votojnë, duke nderuar angazhimin e tyre ndaj demokracisë”, tha ai.

“Nuk ka rëndësi nëse e keni bërë për mua apo kundërshtarin tim, e rëndësishme është që e keni bërë, keni qenë prezent, keni treguar përkushtimin tuaj ndaj këtij vendi që i përket secilit prej jush”.

Presidenti kilian në largim Sebastian Pinera e uroi Boriçin më herët në mbrëmje, duke thënë: “Kilianët kanë dhënë një shembull të demokracisë, ju ishit pjesë e kësaj, unë ju përgëzoj”.