Lëvizja Punëtorët në Art (PART) ka thënë se Ministria e Kulturës duke anuluar procedurën për “Blerjen e veprave të artit” ka instrumentalizuar 68 artistë, sipas tyre, për të mbuluar neglizhencën dhe keqmenaxhimin e këtij instuticioni ndaj krizës që ka kapluar skenën e kulturës që nga fillimi i pandemisë në mars të vitit 2020.
“Vendimi ad-hoc, i pajustifikuar dhe autoritar i MKRS-së, për anulimin e procedurës “Thirrja publike për blerjen e veprave të artit të artistëve vendor” ka dëmtuar dhe rrezikuar thellësisht kohezionin shoqëror duke shkaktuar antagonizëm në mes artistëve, MKRS-së, dhe publikut, e fuqizuar përmes mbulimit të njëanshëm të çështjes në fjalë nga mediet. Përmes këtij anulimi, në formë indirekte, MKRS e ka delegjitimuar vetveten duke e përmbysë si të parregullt politikën që vet e ka përpiluar. Ndërsa, në formë direkte, ky vendim ka shkaktuar dëmtim të statusit të artistëve, cënim të veprimtarive të tyre artistike si dhe kërcënim të mirëqenies ekonomike në të ardhmen”, thuhet në reagimin e tyre.
PART-i i ka parashtruar MKRS-së tri kërkesa – justifikim zyrtar rreth bazës mbi të cilën është marrë vendimi për anulimin e procedures, të kthehet në fuqi procedura e krijimit të Fondit Shtetëror të Qeverisë së Kosovës dhe marrja parasysh e kërkesave dhe krijimi i rregullores adekuate për të mundësuar intervenim në zbutjen e dëmeve në mirëqenien sociale të shkaktuara nga pandemia.
Punëtorët në Art përbëhet nga artistë, hulumtues, kuratorë, si dhe punëtorë të pavarur kulturorë në Kosovë.
\RTV-Okarina\