Ndihmat e dërguara nga shoqata humanitare bamirëse “Bereqeti” që funksionin në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIRK), kanë filluar të shpërndahen për popullin e shtetit të Beninës në Afrikën Perëndimore.
Me këtë rast pranimi dhe shpërndarja e këtyre ndihma është duke u bërë nga “Asociacioni humanitar për zhvillim e promovim social”, në Benine nën udhëheqjen e drejtorit, Kasim Jusuf-it. Ai me ketë rast ka shprehur falënderime dhe konsiderata të larta për këto ndihma të dërguara nga Kryesia Bashkësisë Islame të Kosovës (BIRK), të tubuara nga njerëzit e vullnetit të mirë të popullit të Kosovës e duke lutur të madhin Zot që t’ua shtojë të mirat e Tij të shumta.
Nga ana tjetër edhe Muhamed Ebu Bekr, anëtar i shoqatës shprehu falënderime për popullin e Kosovës, duke vlerësuar se këto mirësi janë nga populli i Kosovës, andaj lusim Zotin që këtë ndihmë ta pranoj nga ata dhe t’ua shpërblejë. ”Ne tashmë i kemi shkarkuar ndihmat dhe do të fillojmë shumë shpejt shpërndarjen e tyre për nevojtarët. Unë me këtë rast jua konfirmoj se emaneti ka arritur në destinacionin e dedikuar”,tha ai.
Ai po ashtu tha se një pjesë e ndihmave do të shpërndahet në pjesën veriore të shtetit të Beninit ku nevoja është më e madhe.
Duhet të ceket se besimtarët nga gjithë vendet e Kosovës kanë kontribuar duke u solidarizuar me banorët e Beninit, ku para një muaji SHHB “Bereqeti”, pati nisur një maune me afro një mijë paketa veshmbathje për banorët e këtij shteti.
Drejtori i SHHB “Bereqetit” Behxhet Ajvazi, shprehet të kënaqur që ndihmat arritën në dorën e nevojtarëve dhe falënderon popullin dhe gjithë bamirësit në Kosovë që mundësuan realizimin e këtij aksioni.
Aktivitete të tilla “Bereqeti” premton se do ta organizojë edhe në të ardhmen për t’u dalë në ndihmë familjeve nevojtare si në vend, ashtu edhe jashtë Kosove.