Maliqi tha për Radion Evropa e Lirë se BE-ja lë të kuptohet se nuk e sheh faktin që marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk do të mund të trajtohet si e shkëputur nga një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Ai tha se BE-ja nuk ka instrumente për ta detyruar arritjen e një marrëveshjeje të tillë, por edhe për zbatimin e marrëveshjeve të deritashme ekzistuese. Për më shumë, sipas tij, deklarata e kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell, i cili kërkoi formimin e Asociacionit, shpërfaq faktin se BE-ja po i bën presion palës më të dobët, në këtë rast Kosovës.
“Absolutisht, pozicioni i BE-së në këtë fazë është asimetrik dhe favorizues ndaj Serbisë, sepse në mungesë të instrumenteve detyruese – çfarëdo lloj instrumenti detyrues edhe ndaj Serbisë – dhe mungesës së çfarëdo lloj procesi integrues, presioni drejtohet drejt palës më të dobët. Pozicioni i BE-së është asimetrik edhe për faktin se pesë shtete nuk e njohin Kosovën dhe kjo po reflektohet edhe në orientimin në një kahe të presionit drejt Kosovës, në një kohë kur nuk ka kurrfarë kuptimi dhe kurrfarë procesi”, thekson Maliqi
Ai shton se pozicioni i BE-së ka qenë i ditur. Megjithatë, sipas tij, kjo nuk e shfajëson Kosovën që nuk ka një strategji për ta përmbysur këtë asimetri, duke e futur në lojë SHBA-në. Por, Maliqi thotë se është e qartë që aktualisht nuk ka angazhim dhe agjendë të përbashkët të Kosovës dhe SHBA-së për ta ndryshuar këtë situatë.