Vdes një i burgosur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, dyshohet për vetëvrasje

Shërbimi Korrektues i Kosovës, ka njoftuar se sot rreth orës ‪14:47 në Qendrën e Paraburgimit Prizren, i paraburgosuri me inicialet F.I, i lindur më 1987, ka  ndrruar jetë. Dyshohet se vdekja ka ardhur si pasojë e vetvarjes në dritaren e banjos së dhomës.

“Me të kuptuar për rastin, i menjëhershëm ka qenë intervenimi i stafit korrektues dhe atij mjekësor të qendrës, por përkundër përpjekjeve për reanimim nuk kanë arritur të kthejnë në jetë”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Sipas Raportit Mjekësor të Stacionarit, i burgosuri F.I në vazhdimësi ka pasur probleme shëndetësore të natyrës mendore, ngecje ne zhvillim mendor, për çka është trajtuar në vazhdimësi nga mjeku i burgut, psikiatri, psikologu.

Lidhur me rastin janë suspenduar zyrtarët përgjegjës, janë njoftuar Policia e Kosovës dhe prokurori, ndërsa SHKK ka filluar të bëjë hetimet procedurale dhe administrative, gjithashtu është themeluar Komisioni Hetimor Administrativ nga SHKK, i cili do të dal me Raport Administrativ Përfundimtar.

Shërbimi Korrektues i Kosovës thotë se autopsia do të verifikoj shkakun e vdekjes./rtvokarina/