Të pakënaqur me masat anti-COVID, gastronomët kërcënojnë Qeverinë

Gastronomët e Kosovës janë të pakënaqur me vazhdimin e kufizimit të aktivitetit të tyre nga ana e qeverisë së Kosovës, si pjesë e masave anti-COVID.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi thotë se gastronomet asnjëherë nuk u falënderuan përkundër që ata u mobilizuan së tepërmi në fushatën e vaksinimit.

“Ishim ne, Shoqata e Gastronomeve, ata që ndihmuam me fushatat tona, në vaksinimin rekord dhe pas gjithë kësaj, si na falënderoni JU?!”

Kllokoqi madje çuditet si zyrtarët qeveritarë ulen dhe presin kafe nga gastronomet.

“Qeveria e Kosovës dhe institucionet relevante, për asnjë moment të vetëm nuk e përkrahën digasterin e gastronomisë në mbijetesën e tyre, megjithatë, pa fije turpi ulë në kafiteri dhe restaurante dhe presin shërbimet e tyre”.

“Na keni mbyllur, na keni poshtëruar, na keni nëpërkëmbur dhe në fund na keni dënuar, pa mbarim”, ka shkruar tutje i pari i gastronomëve.

Ai ka shprehur edhe shqetësimin që në Kosovë për dallim nga e gjithë bota, vaksinimi nuk ka asnjë peshë.

“Në çdo vend të botës, vaksinimi nënkupton funksionim të lirë të jetës, përveç në Kosovë, ku vaksinimi nuk nënkupton ASGJË, ama bash ASGJË!”

Kllokoqi ka paralajmëruar krizë në sektorin e gastronomisë pas këtyre masave, por që sipas tij kjo krizë do të jetë më e rëndë se virusi për Kosovën.

Në fund ai ka bërë një kërcënim për qeverinë: ”Bëhuni gati ta korrni atë që mbollët!”.

Sipas vendimit të fundit të Qeverisë, sa i përket sektorit të gastronomisë masat janë të njëjta siç kanë qenë.rtvokarina.