Fadil Nura dy ditë më parë e mori edhe zyrtarisht pozitën e kryetarit të Skënderajt, pas fitores në zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Nura ka publikuar listën e drejtorëve që do të jenë pjesë e qeverisjes së tij në katër vitet e ardhshme në këtë komunë. Në mesin e të cilëve, ka emëruar edhe një person i cili ka pasur probleme me ligjin. Alban Shala, akuzohet nga opozita në këtë komunë për keqpërdorim votash. Shala u emërua Drejtor i Shërbimeve Publike në komunën e Skënderajt, por ai në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit 2019, është akuzuar se ka keqpërdorur votat në fshatin Runik të kësaj komune.
Në shkollën “Shotë Galica” të Runikut, po zhvillohej procesi i votimit, ndërsa, Alban Shala ishte kryesues i kësaj qendre nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Në këtë vendvotim kishin të drejtë vote 750 qytetarë, 299 banorë kishin dalur për të votuar, por që ishin zhdukur 450 fletëvotime të zbrazura. Ish-kryetari i AAK-së në Skënderaj, Qazim Xani ka thënë për Gazetën Insajderi se Alban Shala ka bërë marrëveshje me PDK-në për të mbushur ato fletëvotime të zbrazura me vota për dy partitë në fjalë. Sipas tij, ky veprim i tij ishte ndalur në gjysmë, pasiqë policia kishin arritur në vendin e ngjarjes. Ai dhe personat e tjere që kanë qenë në vendvotim si të dyshuarit janë marrë në pyetje nga Prokuroria Speciale e Kosovës.