Skuadrës së Milanos mbrëmë i kryente punë vetëm fitorja për të mbsjtur gjallë shpresat për një kualifikim të mundshëm në fazën e 16 më të mirave.
“Rossonerët” mbrëmë fituan minimalisht 1-0 në një fushë shumë të vështirë siç është “Wanda Metropolitano” përballë një skuadre shumë të fortë siç është Atletico Madridit.
Përveç rezultatit, madhështor këtë triumf e bëri goli i shënuar nga Junior Messias, i cili realizoi në debutimin e tij në Champions League.
30-vjeçari u inkuadrua në minutën e 65-të në vend të Krunic, kurse golin e realizoi në minutën 87′ dhe ia dhuroi tre pikë të arta skuadrës së tij.
Por arritja deri këtu e brazilianit nuk ishte aspak e lehtë dhe historia e tij është shumë motivuese për çdo kënd.
Sipas Football Italia, sulmuesi 30-vjeçar vepronte në Serie D vetëm tre vjet më parë, niveli më i lartë i futbollit jo-profesionist në Itali.
Përpara se të hynte për herë të parë në atë ligë në vitin 2015 me Casale, Messias thjesht e luante futbollin si hobi pas emigrimit nga Brazili dhe iu desh të fitonte para përmes punëve të tjera të ndryshme si rikuperimi i tullave, prishja e ndërtesave dhe shpërndarja e pajisjeve elektro-shtëpiake.
Amerikano-jugori iu bashkua ekipit tjetër të Serie D, Gozzano, në vitin 2017 dhe e ndihmoi skuadrën të promovohej në Serie C për sezonin 2018/19.
Messias më pas bëri debutimin e tij profesional përsëri në 23 shtator 2018 kundër Cueno dhe shënoi golin e tij të parë në këtë nivel tre ditë më vonë kundër Piacenza.
Në janar të vitit 2019, djaloshi nga Belo Horizonte u shit te klubi i Serie B, Crotone, dhe ai luajti në kategorinë e dytë për herë të parë në gusht të po atij viti.
Messias shkëlqeu në Crotone, duke e ndihmuar klubin të siguronte promovimin në elitën e futbollit italian për sezonin 2020/21.
Ai sezonin e përfundoi duke shënuar nëntë gola në 36 paraqitje në Serie A, formë që e shtyu Milanin të nënshkruante me të pë huazim për shumën e 2.6 milionë euro me një opsion blerje për 5.4 milionë euro tjera në fund të sezonit.
Pas golit historik të tij në Madrid, kuqezinjtë mund të mbyllin marrëveshjen për blerjen përfundimtare të tij e duke e përfunduar këtë histori me një fund të lumtur.
\RTV-Okarina\