Një aksident tragjik ka ndodhur sot në Bullgari, ku si pasojë e përplasjes dhe djegies së një autobusi humbën jetën 45 udhëtarë nga Maqedonia e Veriut.
Lidhur me këtë ngjarje tragjike kanë reaguar dhe kryetarët e partive politike në Kosovë, të cilët janë shprehur të tronditur nga ky lajm dhe u kanë shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave dhe të lënduarve u kanë dëshiruar shërim të shpejtë.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi është shprehur i tronditur dhe i prekur thellësisht nga kjo tragjedi.
“I tronditur e i prekur thellësisht nga tragjedia në Bullgari, që mori jetën e 46 qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, bashkëkombësve tanë shqiptarë dhe familjeve të të gjithë viktimave ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta, për shuarjen e më të dashurve të tyre. Përballë kësaj ngjarjeje kaq tragjike, lutemi për shërim të shpejtë të të mbijetuarve dhe për durim e forcë për familjarët e viktimave. Në këtë ditë të rëndë, mendjet dhe zemrat tona janë me të gjithë të prekurit e kësaj tragjedie”, ka shkruar Krasniqi.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se lajmi për humbjen tragjike të 46 personave i ka lënë pa fjale e me dhimbje.
“Një mëngjes i trishtë e me dhimbje plot. Lajmi për humbjen tragjike të 46 jetëve në aksidentin fatal në Bullgari, na lë pa fjalë e me dhimbje shumë secilin prej nesh. Në këto momente të vështira, u shpreh nugshëllimet më të sinqerta familjeve dhe të afërmve të viktimave. Shpirti i tyre pushoftë në paqe. Lutemi që të lënduarit të shërohen sa më parë. Në emër të LDK-së, sot në mëngjes i kam shprehur ngushëllime dhe Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev”, ka shkruar Abdixhiku.
Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se në këto momente janë pranë familjeve të viktimave.
“Dhimbje e madhe për dhjetëra jetë të humbura, shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, në aksidentin tragjik në Bullgari. Në këto momente të vështira, jemi pranë familjeve të viktimave e lutemi që të shërohen të lënduarit. Zoti u dhashtë forcë familjeve dhe mbarë kombit”, ka shkruar Haradinaj.
Ndaj kësaj tragjedia kanë reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryepralamentari Glauk Konjufca.
\RTV-Okarina\