“Unë mendoj se është koha e duhur për Kosovën që të kemi liberalizim të vizave diku vitin e ardhshëm. Kjo nuk varet natyrisht nga ne”, thotë Kurti.
“Por kurdo që takohemi kolegët europianë dhe miqtë të gjithë e shohin si padrejtësi të madhe për Kosovën dhe në anën tjetër BE ka më shumë vetëbesim dhe kjo përkthehet në një besueshmëri më të madhe në Kosovë dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor”, shtoi ai.
Komiteti për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme [LIBE], në shtator të vitit 2019, e ka mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.
Një shumicë prej 49 ligjvënësish ranë dakord të fillojnë bisedimet me Këshillin e Bashkimit Evropian për propozimin e heqjes së vizave për Kosovën.
Votime të ngjashme ishin mbajtur edhe në shtator të vitit 2018 dhe mars të vitit 2019, por mandati për bisedime me Këshillin e BE’së është dashur të ripërtërihet pas zgjedhjeve të përgjithshme të BE-së në muajin maj.
Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës mbetet ende i diskutueshëm në Këshillin e BE-së.
Franca dhe Holanda vazhdojnë të hezitojnë që t’i japin Këshillit një mandat për të negociuar me parlamentin.Për tri vjet rresht, liberalizimi i vizave për Kosovën ishte kushtëzuar nga BE-ja me ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Por, edhe pse Kuvendi i Kosovës, ndonëse me tri vjet vonesë arrti ta ratifikonte demarkacionin, BE-ja më pas nuk arriti konsensusin e brendshëm për t’ua hequr vizat qytetarëve të Kosovës.