Drenica udhëton në Gjilan në kërkim të këndelljes

“BKT” Superliga e Kosoves rikthehet në fundjavë sërish në aksion pas pushimit për shkak të ndeshjeve të kombëtareve.
Të shtunën me fillim nga ora 13:00, Drenica do të jetë musafire e Dritës në Stadiumin e Qytetit në Gjilan.
Drita ishte skuadra e parë që e mposhti Drenicën në këtë edicion pas një barazimi dhe tre fitoreve që kishin regjistruar kuqezinjët.
Në atë ndeshje “Intelektualëve” tre pikët ua dhuruan Hajzeraj dhe Namani në fitoren 2-0 në “Bajram Aliu”.
Në tre ndeshjet e fundit gjilanasit kanë marrë dy fitore dhe një humbje, kurse drenicasit kanë regjistruar një fitore dhe në dy ndeshjet e fundit kanë pësuar humbje.
Në pesë ndeshjet kundër njëra-tjetrë të zhvilluara në Gjilan, Drita ka shënuar tre fitore, kurse dy ndeshje kanë përfunduar në barazim.
Ndeshjet mes Dritës dhe Drenicës dhurojnë gola dhe emocione dhe këtë e dëshmojnë statistikat, ku në dhjetë ndeshjet e fundit nuk është regjistruar asnjë barazim 0-0.
Në këto dhjetë ndeshje, “Intelektualët” kanë realizuar 23 gola, kurse “Shqiponjat e Zeza” kanë shënuar vetëm gjashtë gola.
Për të besuarit e Tahir Lushtakut kjo ndeshje pritet të jetë e vështirë për shkak të problemeve financiare që po kalon klubi, por dhe pas dorëheqjes së kryesisë që erdhi pak ditë më parë.
\RTV-Okarina\