Kancelarja Angela Merkel, tha se Gjermania do të prezantojë kufizime më të forta për COVID-19 për qytetarët e pavaksinuar.
Në rajonet ku ka më shumë se tre pacientë me COVID-19 në spital për 100,000 banorë, vetëm të vaksinuarit dhe ata që janë shëruar nga virusi do të mund të hyjnë në vende publike si restorante ose sallat e koncerteve. Derisa shumica e rajoneve në vend janë aktualisht mbi atë prag.
Sipas rregullave të reja, personat e pavaksinuar, edhe nëse rezultojnë negativë për COVID-19, do të kenë të kufizuar aksesin e tyre në shumë vende publike, shkruan Euronews.
Njoftimi vjen pasi dhoma e ulët e parlamentit gjerman, Bundestag votoi të enjten në favor të kufizimeve të reja për të frenuar një rritje të rasteve me koronavirus. Ato përfshijnë kufizime të reja për vendin e punës dhe transportin publik.
Njerëzit do të duhet të dëshmojnë se janë të vaksinuar, të shëruar nga COVID-19 ose kanë rezultuar negativë për virusin në mënyrë që të kenë akses. Masat u propozuan nga tre partitë që priten të formojnë koalicionin e ardhshëm: Social Demokratët (SPD), liberalët dhe të gjelbërtit.
Lothar Wieler, drejtor i Institutit Robert Koch, agjencia gjermane e kontrollit të sëmundjeve bëri thirrje për një rritje të ndjeshme të normave të vaksinimit në mbi 75%, nga 67.7% që është aktualisht. Në disa rajone gjermane normat janë deri në 57.6%.
Vala e katërt e COVID-19 po godet Gjermaninë me “fuqi të plotë”, tha Angela Merkel të mërkurën, duke e përshkruar pandeminë si “dramatike” në një takim me drejtuesit e qytetit gjerman.
\RTV-Okarina\