“Në fillim ishte befasi jo e këndshme, sepse SHBA jo vetëm që na kanë ftuar ndër të parët në organizime të tilla në të kaluarën, por kanë ndikuar edhe te shtetet tjera që kur nuk na kanë ftuar që të sigurojnë një ftesë për Kosovën. Është për keqardhje që nuk jemi ftuar, sepse siç duket raportet me SHBA-në fatkeqësisht janë në pikën më të ulët. Duke pasur parasysh se ne jemi krijesë e SHBA-së, dhe kemi pasur mbështetjen e patundur në të gjitha fazat e zhvillimit në Kosovë, duke përfshirë periudhën para lufte, ku SHBA ka luajtur një rol kyç në përkujdesjen e popullit të Kosovës në një kohë kur ne pothuajse ishim në një gjendje të pa shpresë, nën regjimin serb, nën presionin e tmerrshëm etj.
Por, edhe gjatë periudhës pas luftës dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, SHBA ka qenë me ne në çdo hap. Tani kemi arritur në një pikë ku më nuk na bëjnë përshtypje”, është shprehur Spahiu.
Duke folur për raportet Kosovë – SHBA, Spahiu theksoi se mos ftesa për Samit është alarm për raportet, duke numëruar tri arsye pse kanë ardhur gjërat deri në këtë pikë.
“Ka disa faktorë, kemi parë disa lëvizje jo fort të matura të Qeverisë, siç është projekti i gazit, që është në interes gjeostrategjik të SHBA-së dhe ne treguam një injorim, jo vetëm që së pranuam por edhe që e kaluam shumë shpejtë. E dyta, është një farë lloj qëndrimi jo fort i gatshëm për tu angazhuar në procesin e dialogut në mënyrë më konstruktive.
E treta është hezitimi për të pranuar marrëveshjen e Donald Trump midis dy vendeve, që ishte në Washington që u nënshkrua nga pala amerikane dhe nga të dyja palët që ishin atje. Dhe zgjedhja jonë që të kemi një pranim selektiv të pikave të asaj marrëveshje”, ka potencuar ai.
Pavarësisht situatës së krijuar, Spahiu vlerëson se SHBA nuk do të hakmerret në të ardhmen ndaj Kosovës, duke shtuar tutje që liderët kosovarë duhet të gjejnë mënyra për rregullimin e raporteve.