Mbi 133 mijë qytetarë nga Kosova kanë provuar “fatin” për t’u bërë shtetas amerikan përmes Green Card, thuhet në njoftimin e Lotarisë Amerikane.
Sipas të dhënave, aplikimi më i madh i qytetarëve nga Kosova ka qenë në vitin 2020, me 57 mijë e 143 persona.
Në vitin 2019 ky numër ishte 57 mijë e 838 persona, ndërsa për 2021-tën kanë qenë 21 mijë e 391 aplikime.
Kur ka mbetur edhe një ditë në përfundim të afatit për të aplikuar për Green Card, qytetarët nga Kosova mund ta provojnë mundësinë për t’u pajisur me këtë dokument.
“Regjistrimi elektronik për Lotarinë DV-2023 do të rifillojë të mërkurën, më 6 tetor 2021 në mesditë 12:00 dhe do të mbyllet të martën më 9 nëntor 2021 në mesditë 12:00”, kishte njoftuar Ambasada amerikane në Kosovë.
Në udhëzimet rreth programit, thuhet se, individët e lindur në vendin që është i kualifikuar për të aplikuar në program, mund të jenë të pranueshëm për të aplikuar. Gjithashtu, çdo aplikues duhet të ketë arsimin e duhur dhe përvojë pune prej së paku dy vjet. Udhëzimi tërheq vërejtjen se të mos aplikohet në qoftë se nuk i plotësoni këto dy kushte.
Duke filluar nga 8 maji 2022, për të parë nëse janë përzgjedhur, të regjistruarit e DV-2023 do të mund të përdorin numrin e tyre unik të konfirmimit të dhënë në regjistrim duke kontrolluar online Kontrollin e Statusit të të Regjistruarve në faqen zyrtare të Lotarisë.
Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve do të informojë pjesëmarrësit e përzgjedhur se si të aplikojnë për vizën e Lotarisë për veten e tyre dhe anëtarët e familjes së tyre.
Të përzgjedhurit do të mund të mësojnë datën e tyre të intervistës për vizë duke hyrë te Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve.
\RTV-Okarina\