Vrasja e biznesmenit, zbulohen rolet e vëllezërve në eliminimin e Hoxhës

 

Vrasja e biznesmenit 43-vjeçar tashmë ka dy autorë të dyshuar, vëllezërit Rrushi. Policia e Tiranës arrestoi Pajtim Rrushin, 42 vjeç, pasi akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjen e Ruzhdi Hoxhës.

Më herët, në pranga ishte vënë edhe Fredi Rrushi, i dyshuar si personi që vrau Hoxhën.

Nga hetimet rezulton se natën e 24 tetorit, Fredi Rrushi e ka marrë në automjet biznesmenin e inerteve, pasi e kishte telefonuar disa herë dhe nga një biznes në autostradë janë nisur drejt Paskuqanit, për të kaluar më tej në Qafë Mollë, pas Malit të Dajtit.

Hetuesit kanë gjetur në Shkollën e Bashkuar në Tiranë celularin e Hoxhës, që mendohet se është hedhur nga Fredi Rushi. Ndërkaq, vëllai i tij, Pajtimi, akuzohet se nuk i ka treguar policisë se për rrëmbimin e Hoxhës është përdorur automjeti i tij, ndërsa ka marrë pjesë edhe në fshehjen e kufomës, pasi ishte vrarë me 2 plumba. Policia gjeti fillimisht xhupin e gjakosur të biznesmenit dhe më tej trupin e pajetë, të mbuluar me gurë dhe zhavorr.

Ndërkaq, policia i komunikoi akuzën e vrasjes Fredi Rrushit, në ambientet e paraburgimit, pasi ai ishte arrestuar më 26 tetor, 2 ditë pas zhdukjes së biznesmenit Hoxha, pasi kërkohej nga autoritetet italiane për trafik droge.

Policia e akuzon edhe për kultivimin e një parcele kanabisi në Tiranë. Pistat hetimore për vrasjen e Hoxhës janë të shumta, por grupi hetimor po përqendrohet tek lëndët narkotike dhe borxhet që kishte viktima.

 

\RTV-Okarina\