Milan fiton nën regjinë e 40-vjeçarit Ibrahimovic

AC Milan po vazhdon me rezultate të mira në elitën e futbollit italian dhe këtë xhiro Roma e Mourinhos ishte “viktima” e radhës për kuqezinjët e trajnerit Pioli.
Roma në “Olimpico” nuk dinte për humbje në këtë edicion teksa në pesë ndeshje kishte marrë katër fitore dhe një barazim përballë Napolit, por Milan ia shkaktoi humbjen e parë.
Numrat flasin për një dominim të kryeqytetasve, por ishin të paqartë para portës së Tatarusanu-së, i cili ishte në formë të shkëlqyeshme.
Në minutën e 26′ Leao u ndal në mënyrë të parregullt afër zonës së rreptësisë dhe gjyqtari Fabio Maresca dha goditje të lirë, ku Ibra tregoi se klasi nuk është plakur akoma tek ai.
Një goditje e fuqishme, e cila arriti shpejtësinë 101 km/h e la të shtangur edhe një super portier siç është Rui Patricio.
Me supergolin e Ibrës “Rossonerët” shkuan në pushimin mes dy pjesëve.
Në fillim të pjesës së dytë, më saktë në minutën e 50′ Ibra gjeti dhe golin e dytë, por që u anulua për pozitë jashtë loje, por goli nuk vonoi shumë.
Në minutën 57′ Zlatan Ibrahimovic fitoi një penallti, të cilën në gol e shndërroi mesfushori Franck Kessie dhe Milan ngriti epërsinë në 2-0.
Në minutën 66′ Theo Hernandez mori kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja dhe i dha shpresë verdhekuqëve se do të mund të nxjerrnin pikë.
Në minutën e 90+3′ ish-milanisti Stephan El Shaarawy shënoi për 1-2, por romanistëve nuk iu mjaftoj koha të barazonin dhe kështu Milan arkëtoi tre pikë me shumë vlera.
Me këtë fitore Milan është në vendin e dytë me pikë të barabarta me Napolin (31), kurse Roma gjendet e katërta me 19 pikë të grumbulluara.
\RTV-Okarina\