Në njoftim thuhet se dy palët u dakorduan që të thellojnë më tej bashkëpunimin në mes tyre, me qëllim të ngritjes së gatishmërisë dhe kapaciteteve të forcave rezervë, si dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me synimin final anëtarësimin e Shoqatës së Ushtarakëve Rezervë të Kosovës në Konfederatën Ndëraleate të Oficerëve Rezervë (CIOR), me seli në Bruksel.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, nënkolonel Sadriu falënderoi homologun e tij për bashkëpunimin e deritanishëm si dhe për kontributin e dhënë për krijimin e urave të komunikimit me CIOR.
Gjithashtu, gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri, delegacioni i Shoqatës së Ushtarakëve Rezervë të Kosovës zhvilloi takim të ndarë me zëvendësministren e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Dallëndyshe Bici.
Në këtë takim, zëvendësministrja Bici, e njoftoi delegacionin nga Kosova për angazhimin dhe planet e Ministrisë së Mbrojtjes për rezervën e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Ajo vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm dhe vëllazëror mes dy shoqatave të oficerëve rezervë si dhe ofroi mbështetjen e saj për aktivitetet e përbashkëta dhe ato brenda CIOR-it.
Në përfundim të vizitës, delegacioni nga Kosova zhvilloi një takim pune në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Tiranë, ku u prit nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, Skender Durmishi, në shoqërim të atasheut tonë të Mbrojtjes, kolonel Bashkim Shillova.
\RTV-Okarina\