Adiós Koeman, Barcelona shkarkon trajnerin pas humbjes nga Rayo

Ronald Koeman nuk është më menaxher i Barcelonës pasi mbrëmë në mesnatë drejtuesit e skuadrës katalanase ia bënë të ditur trajnerit holandez vendimin.
Koeman nuk arriti që pas largimit të Messit nga skuadra të implementonte një ide të qartë se si do të paraqitej skuadra dhe si pasojë erdhën ndeshje jo të mira dhe humbje që vështirë kapërdihen nga një skuadër e madhe siç është Barça.
Humbjet nga Bayerni dhe nga Benfica me rezultatin identik 3-0, ishin dy goditje të rënda për skuadrën, më pas erdhi dhe humbja në “El Clasico” me rezultat 2-1, dhe “vulën e shkarkimit” të Koeman ia dha Rayo Vallecano që mbrëmë mundi “Blaugranat” 1-0.
Lajmin për shkarkimin e 58-vjeçarit e ka konfirmuar dhe faqja zyrtare e Barcelonës:
“FC Barcelona e ka liruar Ronald Koemanin nga detyra e tij si trajner i ekipit të parë. Presidenti i klubit, Joan Laporta, e ka njoftuar trajnerin me këtë vendim pas disfatës nga Rayo Vallecano. Ronald Koeman do të përshëndetet me ekipin ditën e enjte në Ciutat Esportiva. FC Barcelona dëshiron ta falënderojë atë për shërbimin e tij ndaj klubit dhe i uron të gjitha të mirat në karrierën e tij profesionale”, thuhet në njoftimin e klubit katalunas.
Detyrën e trajnerit të ri të Barcelonës pritet ta marrë mesfushori legjendar i kësaj skuadre, spanjolli Xavi.
41-vjeçari ka luajtur për katalanase plotë 767 ndeshje duke shënuar 85 gola dhe duke dhuruar 185 asistime.
\RTV-Okarina\