Në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është mbajtur mbledhja e radhës e Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive, ku të pranishëm përveç anëtarëve të Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive ishin edhe përfaqësuesit e disa Federatave sportive të Kosovës.
Në agjendën e mbledhjes së sotme, me prioritet është trajtuar tema e aktiviteteve sportive ilegale të organizuara nga strukturat paralele serbe në Kosovë.
Bazuar në Ligjin e për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Sport, aktivitetet zyrtare sportive në territorin e Kosovës mund të organizohen nga federatat sportive, shoqatat e sportistëve, dhe klubet sportive të formuar në përputhje me legjislacionin e Kosovës.
Poashtu, Ligji specifikon se të drejtën e organizimit të ngjarjeve sportive e kanë edhe personat tjerë fizikë dhe juridik që paraprakisht kanë bërë marrëveshje me federatat apo klubet sportive të licencuara në Kosovë.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e federatave sportive shpjeguan se ndër vite u kanë bërë thirrje klubeve sportive të cilat zhvillojnë aktivitetin e tyre në kuadër të federatave sportive në Serbi që të integrohen në strukturat tona organizative dhe bëhen pjesë e aktivitetit legjitim sportiv në Kosovë.
Përkundër iniciativave të tilla, në Federatat e Sportit të Kosovës ende nuk ka asnjë klub anëtar nga komuniteti serb.
Në këtë mbledhje po ashtu u kërkua që integrimi i klubeve sportive në Federatat e Sportit të Kosovës, duhet trajtuar me prioritet të lartë nga niveli institucional dhe sportiv i Republikës së Kosovës.
Pas diskutimeve, Këshilli nxori dy rekomandime:
1. Këshilli i rekomandon ministrit që procesi për integrimin e klubeve sportive që nuk janë pjesë e Federatave Sportive të Kosovës, të bëhet në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Sportit në të gjitha komunat e Kosovës,
2. Këshilli i rekomandon ministrit që përpjekjet për integrimin e klubeve sportive në aktivitetet zyrtare të sportit kosovar, të vazhdohen të bëhen edhe nga Federata Sportive të Kosovës që janë të licencuara në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.
Këshilli paralajmëron të gjitha klubet që nuk janë pjesë e Federatave Nacionale të Kosovës se për organizimin e aktiviteteve ilegale sportive do të jenë të detyruar që të zbatojnë ligjet e Kosovës, ku parashihen edhe sanksionet ndaj personave, apo subjekteve që nuk i zbatojnë ligjet e Republikës së Kosovës.
\RTV-Okarina\