Edhe në edicionin e sivjetmë të përzgjedhjes së personaliteteve myslimane më me ndikim, Qendra Mbretërore për Studime Islame dhe Strategjike (The Royal Islamic Strategic Studies Centre) me seli në Jordani, Myftiun e Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava, e rizgjedh njërin nga 500 myslimanët më me ndikim në botën islame.
Në përshkrimin e bërë me rastin e përzgjedhjes, spikasin meritat e Myftiut Tërnava për organizimin administrativ të jetës fetare në një vend të dalë nga lufta, dëmet e së cilës ishin të mëdha e të shumta, si në njerëz, po ashtu edhe në infrastrukturë. Roli i tij çmohet edhe për kultivimin e tolerancës dhe mirëkuptimit ndërfetar në Kosovë.
Ky vlerësim jubilar për Myftiun e Republikës së Kosovës është një nder jo vetëm për Myftiun Tërnava dhe BIK-un, organizatën fetare më të madhe në vend, por edhe për Kosovën. Vlerësimet e këtilla, që janë rezultat i punës dhe angazhimit serioz në ndërtimin institucional të jetës fetare, në ndërtimin e urave ndërmjet komuniteteve tradicionale fetare në vendin tonë dhe në angazhimin për mirëqenien e popullit në përgjithësi, duhet të prezantohen para botës mbarë si dëshmi të pjekurisë institucionale e qytetëruese të Kosovës dhe institucioneve të saja.
\RTV-Okarina\