Haradinaj: Askush nuk ka të drejtë të ngre dorë mbi Policinë e Kosovës, Qeveria të dalë me sqarim

 

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar për situatën e krijuar në Veri, pas aksionit të policisë së Kosovës, për kontrabandë me mallra në disa lokacione.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se askush nuk ka të drejtë të ngre dorë ndaj policit të Kosovës, pasi disa pjesëtarë të policisë u lënduan gjatë operacionit.

Tutje kreu i AAK-së, kërkoi sqarim nga Qeveria për aksionet e sotme, pasi siç shkruan ai, mund të jenë kryer për efekte elektorale.

 

 

“Askush nuk ka të drejtë të ngre dorë ndaj policit të Kosovës. Huliganët dhe banditët duhet të burgosën dhe shteti duhet të jetë i pakompromis ndaj tyre. Secili që sulmon policinë e Kosovës dhe e prish rendin publik, duhet ta marrë dënimin e merituar.

Ne duam të besojmë që aksionet e sotme, të kenë qenë pjesë e planit të rregullt operativ të policisë në ndjekje të krimit. Veç se qeveria e ka për detyrë ta sqarojë edhe opinionin publik edhe veten, për përzgjedhjen e momentit kohor për kryerjen e këtyre operacioneve.

Nëse është e mundshme duhet të hiqet çdo dilemë, se këto aksione mund të jenë kryer për efekte elektorale. Në mbështetje të Policisë së Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

 

\RTV-Okarina