Ka tri javë që nxënësit e shkollave fillore në Kosovë nuk janë pajisur me të gjitha librat shkollorë. Ndryshe nga vitet tjera, atyre nuk u janë dhënë tekstet mësimore siç parashihet nga Ministria e Arsimit.
Shqetësimi kryesor i prindërve ka qenë mungesa e librave të klasave 6-9.
E Ministria e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ua hedhë fajin drejtorive komunale.
Në këtë institucion, thonë se për këtë mungesë të librave kanë paralajmëruar të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit si dhe kanë sqaruar se në cilat nivele do të iu bëhet shpërndarja e teksteve.
“Më 15 qershor, Ministria e Arsimit i ka njoftuar të gjitha Drejtoritë komunale të Arsimit se këtë vit do të shpërndajë tekstet për nivelin I-5 dhe për nxënësit e klasës së 8, tekstet alternative për nxënësit e klasave 6 dhe 7 si dhe tekstet shkollore për lëndën e gjuhës gjermane dhe frënge”, thanë nga Ministria.
Gjithashtu, sipas ministrisë, Drejtoritë janë njoftuar se, tekstet e klasës 6, 7 dhe 9 do të përdoren të vitit paraprak si dhe shkollat është dashur të sigurohen që nxënësit e këtyre klasave në fund të vitit shkollor t’i kthejnë tekstet ashtu siç e parasheh udhëzimi administrativ.
Por kjo nuk ka ndodhur.
Madje sipas institucionit kryesor të arsimit në vend deri më tani nuk kanë marrë asnjë ankesë nga Drejtoria Komunale e Arsimit në lidhje me tekstet shkollore.
Ndërsa, prindërit janë të vetmit që kanë ngritur shqetësimin.
Pas ankesave të prindërve Ministria ka dërguar disa komisione në shkolla për të siguruar nëse procesi i shpërndarjes së teksteve nda Drejtorit është realizuar në bazë të kërkesave të parapara.
“Gjatë këtyre vizitave jemi informuar se DKA-të, në disa raste nuk kanë qenë në nivelin e duhur të detyrës, duke mos planifikuar tekstet për nxënësit e të gjithave shkollave dhe duke mos bërë kërkesë të saktë në raport me numrin e nxënësve e madje në disa raste komisionet për pranimin e teksteve janë formuar me persona jo kompetent (punëtorë teknik)”, thanë nga MASHTI për Gazetën Infokus.
Për këtë shqetësim Ministria e Arsimit i fton të gjitha shkollat dhe DKA-të që të sigurohen që të gjithë nxënësit ti kenë tekstet shkollore dhe të vazhdojnë procesin mësimor.
\RTV-Okarina