Shqipëria zbeh gjasat për vendin e dytë pas humbjes ndaj Polonisë

Shqipëria është mundur mbrëmë nga Polonia në ”Air Albania” me rezultat 0-1.
Në prani të 22 mijë tifozëve u zhvillua një ndeshje shumë fizike dhe ku luftohej për çdo top, por raste kishte fare pak nga të dy skuadrat në pjesën e parë.
Edhe në pjesën e dytë kishte pak raste, por ndeshja filloi të bëhej më e hapur pas 70 minutave lojë.
Polakët kaluan në epërsi në minutën 77′, ku pas një krosimi të bukur nga Mateusz Klich, në shtyllën e dytë u gjend Karol Swiderski, i cili e dërgoi topin në rrjetë.
Festimi i musafirëve para tifozëve kuq e zi nxiti reagimin e këtyre të fundit, të cilët filluan të hidhnin shishe në fushë.
Delegati i ndeshjes vendosi që ndeshja të ndërpritej dhe gjyqtari i dërgoi të dy kombëtaret në zhveshtore, por pas disa minutave ndeshja rifilloi.
Musafirët e administruan mjaftë mirë avantazhin, madje sulmuesi më i rrezikshëm i tyre, Lewandowski kishte një rast të mirë, por Berisha arriti ta ndalte.
Broja në fund u mundua me një goditje, por as nuk kishte forcën e as saktësinë e duhur.
Tani Polonia është në vendin e dytë me 17 pikë, kurse Shqipëria pas humbjes bie në vendin e tretë me 15 pikë.
Pas incidentit të tifozëve shqiptar pritet që kombëtarja kuqezi të dënohet me rreth 200 mijë euro.
\RTV-Okarina\