Ilir Havolli nga Shoqata e Psikologëve të Kosovës, ka thënë se zgjedhjet e shpeshta dhe premtimet, ndikojnë direkt në shëndetin mendor.
Në intervistën për Sytë 7 në Klan Kosova, Havolli tha se kur ka zgjedhje të shpeshta, shëndeti mendor dhe fizik, vendoset në planin e dytë.
“Zgjedhjet e shpeshta ndikojnë në mënyrë negative tek popullata, premtimet boshe të parealizuara, individi mund të frustrohet prandaj çdo herë shohim që ka sa më pak pjesëmarrës. Premtimet ndikojnë në mënyrë direkte në shëndetin mendor”, tha ai.
Tutje Havolli foli edhe për konferencën që do të mbahet të dielën në kuadër të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, ku do të marrin pjesë prezantuesë nga vendet shqipfolëse dhe profesionistë të shëndetit mendor.
Ai tha se aty do të diskutohet për pikat kyçe të shëndetit mendor.
“Do të identifikojmë sfidat e shëndetit mendor dhe pastaj të gjejmë modalitete dhe shpresim konkluzione që do t’iu drejtohen ministrive apo institucioneve përkatëse të clat do të punojnë më mirë në këto fusha”.
Ndër të tjerash, Havolli tha se si pasojë e COVID-19, shëndeti mendor është lënë pak pas dore, duke u marrë më tepër me atë fizik.
“Shëndetit fizik do t’i gjendet ilaçi, por shëndeti mendor po na del prej dore për faktin se e kemi lënë pas dore, dhe situata është rënduar bukur shumë. Popullata nuk ka nevojë thjesht për mirëqenie fizike, por edhe për psikoemocionale”, tha ai.
\RTV-Okarina