Krasniqi fajëson Qeverinë për keq-menaxhim dhe keq-administrim të pandemisë

 

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, drejtoi kritika të mëdha ndaj Qeverisë Kurti në sesionin e parë vjeshtor të Kuvendit.

Krasniqi fajësoi Qeverinë për keq-menaxhim dhe keq-administrim të pandemisë.

“Meqenëse është seanca e parë e sesionit vjeshtor të Kuvendit, që në fillim dëshiroj t’ju uroj punë të mbarë të gjithëve, në agjendën që kemi para vetës si deputetë. Por, meqë është seanca e parë pas një periudhe pushimi që ishte periudhe tragjike për jetën e qindra qytetarëve tanë në ballafaqim me pandeminë, për çka ju shpreh ngushellime të gjitha familjeve që humbën më të dashurit e tyre, nuk mund ta lë pa e thënë se për punë të mbara, nuk mjaftojnë uratat, as fjalët dhe as dëshirat”.

 

 

I pari i PDK-së deklaroi se Kurti refuzoi bashkëpunimin me partitë opozitare.

“Për punë të mbara nuk mjaftojnë uratat, por kërkohet angazhim, reflektim dhe përgjegjësi. Pikërisht këto cilësi që nuk i kemi parë t’i ushtrojë kjo Qeveri. Një Qeveri e mirë do ta kishte shtruar këtë çështje në rrafsh të bashkëpunimit e jo në çështje politike. Unë i ofrova bashkëpunim Kurtit për gjendjen e rënduar që kaluam për dy muaj. Por pashë një refuzim. Nuk kishte as vëmendje, as përgjigje, as iniciativë.

Përballë këtij refuzimi, gjërave duhet t’ua vejmë emrin. Keq-menaxhimi i Qeverisë për gjendjen e rënduar që kaluam, keqadministrim i kësaj Qeverie që jemi gati të fundit në vaksinim. Qeveria i hapi dasmat e ahenget për të na mbyllur shkollat e çerdhet”, tha Krasniqi.

 

\RTV-Okarina\