Argjentina mund Bolivinë, Messi ”Hat-Trick”

Argjentina ka mposhtur Bolivinë 3-0 në kuadër të kualifikueseve për botërorin ”Katar 2022”.
Leo Messi kishte një tjetër mbrëmje magjike duke shënuar tre gola dhe duke dhuruar spektakël në fushë.
Golin e parë ”pleshti” e realizoi në minutën e 14-të pasi mori një top nga Paredes dhe me mjeshtëri kaloi mbrojtësin e Bolivisë Luis Haquin dhe goditja nga jashtë zone përfundoi në cepin e portës.
Golin e dytë kapiteni argjentinas e realizoi në minutën e 64-të pas një goditje me të djathtën brenda zonës.
Numri 10 i Argjentinës realizoi një tjetër gol në minutën e 73-të, por u anulua për pozitë jashtë loje, por kompletimi i ”Hat-Trick-ut” nuk vonoi shumë.
Ishte minuta 88-të kur 34 vjeçari vulosi mbrëmjen e tij fantastike ku e shfrytëzoi një top, të cilin portieri musafir Carlos Lampe nuk arriti ta devijonte si duhet dhe Messi ishte aty për ta shtyer topin në fundin e rrjetës.
Pas këtyre tre golave, Leo Messi u bë lojtari me më së shumti gola për kombëtaret nga Amerika Jugore.
Këtë rekord e mbante deri mbrëmë braziliani Pele, që nga viti 1971 duke realizuar 77 gola për Brazilin.
Pesëdhjetë vite më vonë Messi e thyen këtë rekord falë 79 golave të realizuara me Argjentinën.
Me këtë fitore Argjentina e ruan vendin e dytë në grup ku në 8 ndeshje ka grumbulluar 18 pikë, 6 më pak se Brazili i vendit të parë.
\RTV-Okarina\