Kandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit, Anton Quni bënë të ditur pse VV po kërkon pretekst për shtyrjen e zgjedhjeve

 

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prizrenit, Anton Quni po vlerëson se Vetëvendosje po gjen pretekst për shtyrjen e zgjedhjeve, sepse do t’u kthehet në rezultat negativ.

Ideja e shtyrjes së zgjedhjeve lokale erdhi pas një deklarate të kryeparlamentarit Glauk Konjufca, i cili tha se me këtë situatë të rënduar të pandemisë do të ishte për shtyrjen e zgjedhjeve.

Por sipas Qunit, edhe pse Prizreni është dashur që të shfrytëzohet si model për qeverisje për katër vjet nuk është bërë asnjë përparim.

“Tani është i ditur disponimi i qytetarëve përvojat e tyre me këtë qeverisje, por edhe sondazhet janë treguar se Vetëvendosje nuk arriti në Prizren. Prizreni është dashur të shfrytëzohet si model si mundet me u qeverisë. Thjesht për 4 vjet nuk kanë bërë asgjë. Prandaj kjo do të kthehet në një rezultat negativ për Vetëvendosjen. Jam i bindur që nuk është momenti i volitshëm për Vetëvendosjen që tani të mbahen zgjedhjet dhe natyrisht që gjejnë pretekst për t’i shtyrë për vitin e ardhshëm”.

Ish-ministri i Mbrojtjes, tha se LDK-ja ka propozuar që fushata zgjedhore të jetë vetëm 10 ditë, në mënyrë që të ruhet shëndeti i qytetarëve.

“Ne si LDK e kemi për qëllim që të ruhet shëndeti i qytetarëve që të mos ballafaqohen me rreziqe të ndryshme. Fushata le të jetë 10 ditë duke iu ikur të gjitha formave klasike të cilat i kanë praktikuar më herët takimet, tubimet, duke i ndërmarrë masat parandaluese për mbrojtje nga Covidi. Jam më se i bindur se me një organizim të mirë ne mund t’i mbajmë zgjedhjet”.

 

 

Ai vlerëson se VV-ja në Prizren nuk ka bërë asgjë përveç akomodimin e militantëve në pozita publike.

Madje Quni ai ironizon duke thënë se në këtë periudhë është ndalur koha.

“Tani është një listë e gjatë e të gjitha problematikave që do të duhej të elaboronim. Për 4 vjet gjatë kësaj qeverisje në Prizren ka ndaluar koha. Penalisht nuk mund të ndiqet nëse dikush e vjedh kohën, por unë jam më se i bindur se një qeverisje e tillë do të ndëshkohet moralisht me votën e qytetarit. Përveç akomodimit të disa personalitete të cilët për interesa të ndryshme pa ndonjë ekspertizë e kanë kapur marrjen e pushtetit lokal”.

Zgjedhjet lokale do të mbahen me 17 tetor, ndërsa fushat është parashikuar të nis me 15 shtator.

 

\RTV-Okarina\