90% e ushtarëve të FSK-së dhe 100% e stafit civil dhe atij ushtarak e kanë kryer procesin e vaksinimit

 

Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe zyrtarë të ministrisë së Mbrojtjes kanë respektuar thirrjen e krerëve të institucioneve për të marrë vaksinën anti-Covid.

Këtë e ka konfirmuar në një interviste drejtori i Departamentit të Mjekësisë në Ministrinë e Mbrojtjes, kolonel Xhevdet Tahiraj.

Ai tha se aktualisht 90% e pjesëtarëve të FSK-së e kanë marrë vaksinën dhe 100% e stafit civil dhe ai ushtarak në ministrinë e Mbrojtjes e kanë kryer procesin e vaksinimit.

“Aktualisht mund të them se 90% e Forcës së Sigurisë së Kosovës është e vaksinuar, dhe pjesa me e madhe kanë marrë edhe dozën e dytë, ndërsa në Ministrinë e Mbrojtjes stafi civil dhe ai ushtarak, lirisht mund të them që 100% e stafit është e vaksinuar”.

Tahiraj thotë se qysh në fillim të marrjes së vaksinave kanë nisur me kampanjën për vaksinimin e popullatës duke ndihmuar dukshëm në këtë proces.

 

“Në ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës ka filluar me kampanjën për vaksinimin e popullatës, duke hartuar plan të përbashkët me komitetin për vaksinim, duke filluar kështu me vaksinim. Kontingjenti i parë i vaksinimit këtu tek ne kanë qenë stafi shëndetësor”.

Ai tutje theksoi se nuk ka pasur asnjëherë hezitim nga pjesëtarët e FSK-së që të vaksinohen, duke u nisur gjithmonë nga rekomandimet e institucioneve vendore e ndërkombëtare, raporton EO.

“Meqenëse jam doktor nuk bëj prape komente se a bën të merret apo jo vaksina, por përderisa OBSH-ja rekomandon me marrë këtë vaksinë atëherë kush jemi ne me dhanë opinione të tilla”.

“Brenda nesh nuk ka pasur hezitime, madje unë personalisht jam marrë me këtë procedurë dhe asnjë zyrtar apo ushtar nuk kam pasur që ka hezituar në këtë drejtim. Vaksinimi është shumë i rëndësishëm në këtë pandemi”, theksoi tutje ai.

 

\RTV-Okarina\