Ministra e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur sot periudhën e aplikimit për pagesa direkte/subvencione për disa kultura dhe aktivitete bujqësore.
Për sektorët, të cilët do të mbështeten përmes Programit për Pagesa Direkte 2021, MBPZhR-ja ka ndarë një buxhet prej 21 milionë eurove dhe afati për aplikim për këtë program fillon nga sot dhe përfundon më 28 shtator 2021.
Subvencionimi i disa kulturave bujqësore në kuadër të këtij programi sivjet për herë të parë do të orientohet mbi bazën e rendimentit e krahas kësaj, risi tjetër e këtij programi është edhe mbulimi i Primit të Sigurimit në vlerën prej 75 për qind për 6 kultura bujqësore për fermerët që vendosin t’i sigurojnë kulturat bujqësore.
Në programin e sivjetmë, Ministria e Bujqësisë ka paraparë subvencione për grurë, për farë gruri, për misër, për elb, thekër, tërshërë, për luledielli, për lopë dhe buallica qumështore, për dele dhe dhi qumështore, për bletë, pula vojse, thëllëza, për dosa për riprodhim, për qumësht sipas kategorive të cilësisë, për therjet e raportuara të gjedhit, për sektorin e akuakulturës, për viça për majmëri.
Po ashtu, sivjet do të ketë pagesa direkte për vreshtat ekzistuese, për verën e prodhuar dhe të deklaruar zyrtarisht, pagesa direkte për pemishtet ekzistuese, për sasinë e dorëzuar/ shitur të frutave te mjedrës, për prodhimtarinë e materialit fidanor të pemëve drufrutore dhe hardhisë se rrushit, për sipërfaqet e mbjella me perime, për prodhimtarinë organike, për bimët mjekësore dhe aromatike.
Në kuadër të këtij programi, sivjet do të ketë edhe pagesa direkte për primin e sigurimit bujqësor për kulturën bujqësore të mjedrës, mollës, kumbullës, rrushit, dredhëzës, specit dhe arrës, si dhe primin e sigurimit bujqësor tradicional për kulturën bujqësore të mollës – pemishtet intensive, kulturën e specit – kultivimi intensiv dhe rrushin e verës.
Të gjithë të interesuarit për kriteret, dokumentacionin e nevojshëm për aplikim dhe informatat e hollësishme mund t’i gjejnë në web faqen e MBPZHR-së, www.mbpzhr-ks.net dhe në web faqen e AZHB-së, www.azhb-ks.net, si dhe në Drejtoritë Komunale për Bujqësi.
Linku i Thirrjes për Aplikim për Pagesa Direkte 2021
\RTV-Okarina\