MSH-ja bënë të ditur që do punohet edhe të dielave, apelon tek qytetarët për vaksinim

 

Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, në veçanti shtatzënave meqë theksojnë se nuk ka dëshmi shkencore që vaksinimi ka ndikime negative.

MSH në një deklaratë theksojnë se në shtator synojnë që ta arrijnë apo edhe të tejkalojnë shifrën prej 400 mijë dozave të administruara, ndërkaq nga kjo javë do të punohet edhe të dielave në qendrat e vaksinimit.

“…MSh do të fuqizojë edhe më tej kapacitetet e vaksinimit dhe trendi aktual i këtij procesi në Kosovë, siguron se objektivi do të arrihet. Prej kësaj jave do të punohet edhe ditën e diele në qendrat e vaksinimit dhe MSH u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen, në veçanti shtatzënave, meqë nuk ka dëshmi shkencore që vaksinimi ka ndikime negative për shtatzënësinë dhe shtatzënën, përkundrazi, përfitimet shëndetësore janë shume më të mëdha se çfarëdo efekti i mundshëm i lehtë dhe i pritshëm anësor sikurse te kategoritë e tjera”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Telegrafin.

MSH është deklaruar edhe për ekipet mobile të vaksinimit.

 

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ekipet mobile kanë vaksinuar deri më tani një numër të madh të qytetarëve të cilët nuk kanë pasur mundësi të shkojnë nëpër Qendra të Vaksinimit për arsye të ndryshme.

“Prej fillimit të vaksinimit, ka pasur dhe ka ekipe mobile të vaksinimit. Ato vaksinojnë në çdo komunë. Fillimisht kanë vaksinuar nëpër shtëpi persona të palëvizshëm apo ata që kanë probleme të ndryshme për të shkuar në qendrat e vaksinimit, me ekipe mobile janë vaksinuar edhe shumë pacientë të dializës, prej kohësh ekipet mobile vaksinojnë edhe qytetarë të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, e madje edhe raste individuale të qytetareve sipas kërkesave. Janë gjithsej 57 ekipe mobile që vaksinojnë çdo javë nëpër komuna të ndryshme, krahas 314 ekipeve që vaksinojnë në qendrat e vaksinimit në 30 komuna”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.