Mbrëm në orën 21:00 ishte planifikuar që të zhvillohej ndeshja Brazil – Argjentinë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror ”Katar 2022”.
Në fakt, ndeshja filloi si zakonisht, por në minutën e 6-të u ndërpre ndeshja pasi autoritetet braziliane u futën në fushë.
Zyrtarët brazilianë të shëndetësisë hynë në fushën e lojës dhe kundërshtuan pjesëmarrjen e katër lojtarëve të Argjentinës që ata besojnë se thyen protokollet e COVID-19 dhe nuk u karantinuan pasi që erdhën nga Anglia.
Ky reagim i vonë i zyrtarëve të ndeshjes bëri bujë të madhe, madje solli dhe reagim të ashpër nga trajneri dhe kapiteni i argjentinës.
Sipas ”RMC Sport” kapiteni Messi tha: ”Ne kemi qenë këtu për tre ditë, po prisnim të luanim ndeshjen, pse nuk erdhët më herët? Kjo është një rrëmujë, ne do të largohemi”, tha Messi.
Edhe trajneri i kombëtares së Argjentinës u shpreh i shqetësuar me rastin: ”Kjo më bën shumë të trishtuar. Unë nuk jam duke kërkuar ndonjë fajtor. Nëse diçka ka ndodhur ose nuk ka ndodhur, nuk ishte koha për të bërë atë ndërhyrje. Duhet të ishte një festë për të gjithë, për të shijuar lojtarët më të mirë në botë. Unë do të doja që njerëzit e Argjentinës të kuptonin se si trajner unë duhet të mbroj lojtarët e mi. Në asnjë moment nuk u njoftuam se ata nuk mund të luanin ndeshjen. Ne donim ta luanim ndeshjen, edhe futbollistët brazilianë gjithashtu”, tha trajneri Lionel Scaloni.
Ndeshja është pezulluar për afat të pa-caktuar dhe të dy skuadrat presin zyrtarizimin e datës së ndeshjes.
\RTV-Okarina\