Prindërit kërkojnë shtyerjen e mësimit pas numrit të madh te të infektuarve me Covid

 

 

Në situatën aktuale epidemiologjike, kthimi i nxënësve në shkolla është i pamundur dhe paraqet rrezik të lartë për nxënësit, mësimdhënësit e prindërit.

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Prishtinës, Jeton Demi ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se kërkojnë që të rishqyrtohet fillimi i procesit mësimor me prezencë fizike në shkolla.

“Ne kemi bërë kërkesë që të rishqyrtohet kjo çështje sepse po kthehemi ose së paku gjatë javës së kaluar është deklaruar se po kthehemi në mësim me prezencë të plotë fizike sikur asgjë nuk ka ndodhur. Në fakt bazuar në shifra dhe në gjendjen që e kemi, informacionet e infektimeve që kemi jemi më keq se gjithmonë, edhe në raste ditore të infektimeve, vdekjeve dhe rasteve të fëmijëve të infektuar që nuk na ka ndodhë më përpara”, është shprehur ai.

Tutje Demi është shprehur i shqetësuar se kthimi në shkolla po shihet si normal, në këtë situatë kur varinati Delta po paraqet rrezik edhe për fëmijët.

Andaj ai ka thënë se kanë dashur që përmes këtij reagimi të alarmojnë se realiteti në fakt nuk është se po shkojmë drejtë një normaliteti.

 

 

“Bazuar në këtë informacion dhe historikun e vendimeve që kemi marrë dhe ne si prindër nëpër taskforca kur kemi mbyllur apo kemi kaluar në skenarë të ndryshëm që kanë nënkuptuar edhe mbyllje shkollash në koordimin me institutin na është dukur e pa arsyeshme dhe me rrezik të lartë për ta marrë këtë vendim. Në nivel të përgjegjësisë që kemi dhe të përvojës, e informacioneve që kemi marrë nga prindër që janë të profesioneve të ndryshme, edhe përfaqësojnë edhe atë pjesën e shëndetit dhe kanë informacione të dorës së parë nga QKUK-ja është një gjendje jo e tillë e normalitetit, përkundrazi është një gjendje më e rrezikshmja deri më tani, po flas edhe për fëmijët tanë, familjet, një verzion Delta të cilin e vlerësojnë të gjithë më të rrezikshmin për të gjitha shtresat si për nga shkalla e përhapjes si për nga efekti dhe për faktin që nuk kemi vaksinim”.

“Kemi kërkuar që së paku kjo të rishikohet, të shtyhet hapja me idenë që të merren masa shtesë, të shikohet për alternativa sepse nuk kemi normalitet, nuk jemi në kushte as të qershorit kur është mbyllur viti shkollor, jemi më keq. Këtë përceptim që ja krijojmë prindërve dhe fëmijëve rreziku është shumë i lartë sepse nuk do të marrin masi pasi shohim gjithandej se është relaksuar shumë qytetari në përgjithësi dhe nuk merr masa parandaluese. Andaj kemi dashur që ta trondisim këtë gjendje të krijuar e cila mund të ketë arsye të ndryshme që është e tillë por realiteti nuk është i tillë. Si Këshill i prindërve alarmojmë, vëmë në pah se ky nuk është realiteti që po shkojmë kah normaliteti më 1 shtator”.

Gjithashtu Demi ka thënë se kushdo që marr vendim për fillimin e mësimit me skenarin A duhet ta mbajë përgjegjësinë mbi supe për pasojat, raporton EO.

 

 

“Ne e kemi bërë publike, dhe kemi pritur që do të ketë takime e diskutime të tjera, por kjo nuk na takon neve. Përgjegjësia jonë që kemi pasur gjatë gjithë kohës së pandemisë edhe nëpër shkolla taskforca por edhe në nivel të kryesisë së këshillit të prindërve të Prishtinës është të parandalojmë dhe të mbajmë përgjithësi për vendimet që marrim. Ne nuk mund tu themi fëmijëve tanë me përgjegjësinë që kemi, mësimdhënësve e shkollave që të kthehen në normalitet më 1 shtator, nuk mund të kthehemi me këto shifra që janë. Alternativat le t’i shohin ata që kanë përgjegjësi dhe profesionistët ne i respektojmë ato. Ne kemi marrë vendime shumë më të rënda në periudha shumë më të relaksuara, të mbylljes”.

“Derisa shifrat të ndryshojnë në nivele të cilat edhe instititi por edhe ne si përgjegjës që përfaqësojmë interesat e prindërve na duken në shifra të tilla që mund të lejojnë kthimin në skenarë të caktuara. Por kthimi në skenarin A me orar të zgjatur që nuk ka ndodhur për 1 vit e gjysëm në situatën që jemi paraqet rrezikshmëri të lartë dhe kushdo që e merr këtë vendim duhet të mbajë mbi supe me gjithë mend një përgjegjësi për të cilët duhet të jap më vonë arsyeshmëri”, ka përfunduar ai për EO.

Ndonëse të enjten e raportua për shtyrje të mësimit, ende nuk ka ndonjë vendim zyrtar të ministrisë së Arsimit nëse mësimi do të mbahet në shkolla nga 1 shatori, ndonëse ditë më parë ministrja Arbërie Nagavci tha se mësimi fillon me rregull.