Haradinaj: Albin, a po e pritni gazin rus që s’po e lejoni ardhjen e gazit amerikan?

 

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka kritikuar Qeverinë Kurti për qasjen e saj ndaj ekonomisë gjatë pandemisë.

Ai ka thënë se janë të shqetësuar që ekonomia e Kosovës po merr goditje të rëndë dhe po shkon në drejtim negativ derisa ka përmendur edhe pikën për gazsjellës në Marrëveshjen e Washingtonit, duke thënë se kryeministri Kurti po e vonon qëllimisht.

“Kur kam qenë kryetar qeverie, Vetëvendosje dhe Haki Abazi atëherë kanë qenë mjaft të zëshëm për energjinë me qymyr në emër të mbrojtjes së ambientit. Amerika i ofron Kosovës diversitet energjetik, pra na bie gazin amerikan prej Greqisë dhe na ofron 200 milionë pare dhe Kosova po e dështon këtë projekt me vonesa.

 

 

Tani ua bëj pyetjen atyre që ishin kundër qymyrit. Pse janë kundër gazit amerikan, a po e presin gazin rus, sikurse një pjesë e Europës? Pra, pyetja për Albinin dhe për tjerët a po e pritni gazin rus dhe për këtë po i dështoni 200 milionët e MCC dhe s’po e lejoni ardhjen e gazit amerikan?”.

Haradinaj ka thënë se kanë bërë edhe disa propozime se ku mund të shfrytëzohen këto para për rimëkëmbjen e ekonomisë.

“Jemi të shqetësuar për ekonominë dhe sektorin privat që s’është trajtuar nga Qeveria. Pakoja është komplet mashtrim.  Kjo pako përmban masa dhe instrumente sociale ose pare që qeveria i ka kode buxhetore dhe obligim operacional që 20 vjet, pra s’është masë e re, por buxheti ekzistues i paraparë për ato qëllime”.

 

\RTV-Okarina\