Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës si dhe kandidatja për kryetare të Ferizajt, Sibel Halimi ka shkruar rreth rastit të rëndë të vrasjes makabre të 18-vjeçares, e cila u dërgua dhe u la e vdekur në emergjencën e këtij qyteti dje.
Halimi ka thënë se ky rast e ka shpërfaqur realitetin e hidhur në të cilin gjenden vajzat në Kosovë. Ajo shkroi se gjuha mizogjeniste është bërë normalitet.
“Rasti i vrasjes së vajzës 18 vjeçare, edhe njëherë na përplasi fytyrës realitetin e hidhur në të cilën gjenden vajzat tona. Gjuha mizogjeniste, dhuna ndaj grave dhe vajzave janë shndërruar në “normalitet” në shoqërinë tonë.
Mjafton të analizohen rrjetet sociale, ku aq lehtësisht, fyerja deri në eliminim është bërë përditshmëri. Nuk mjafton të tronditemi vetëm nga vrasjet fizike, ne duhet të tronditemi çdo ditë për gjuhën e vrasjes drejtuar vajzave dhe grave e që vrasja fizike, vjen si pasojë e mos ndëshkimit të këtij mentaliteti”, ka shkruar Halimi.
Ajo thotë se çështjet që i paraprijnë vrasjeve të tilla duhet të vëhen prioritet për secilin qytetar.
“Ngacmimet seksuale, dhunimet, shantazhi e dhuna ndaj grave janë çështje të cilat duhet të jenë prioritet i secilit prej nesh pa përjashtim”, ka shkruar Halimi.
\RTV-Okarina\