Hulumtimet tregojnë se bashkëatdhetarët kanë shpenzuar rreth 500 milionë euro në Kosovë

 

Bashkatdhetarët që kanë ardhur këtë verë në Kosovë, sipas hulumtimeve të bëra nga organizatat joqeveritare, kanë shpenzuar rreth 500 milionë euro. Sipas ekspertëve që i kanë bërë këto hulumtime, thuhet se të hollat e derdhura janë një infuzion për ekonominë e Kosovës, sidomos në rrethana të pandemisë.

Kosova këtë vit ka shënuar numër rekord të bashkatdhetarëve që kanë vizituar vendin. Sipas Organizatës “Germin”, shpenzimet e tyre  këtë sezon kanë qenë rreth 500 milionë euro.

Lirim Krasniqi, nga Organizata joqeveritare “Germin”, organizatë kjo që merret kryesisht me çështje të diasporës, thotë se shpenzimet e bashkatdhetarëve gjatë sezonit të verës arrijnë shifrën e 500 milionë euro. Derisa sipas Krasniqit, numri i bashkatdhetarëve që kanë hyrë në Kosovë këtë sezon vere, është rreth 1 milion.

“Konsiderojmë që vizitat e diasporës gjatë verës së këtij viti, kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në ekonominë e Kosovës. Sipas një vlerësimi që kemi bërë, por edhe nga organizata e tjera që bëjnë analiza të tilla, në rastin më të mirë, shifra që është derdhur në Kosovë mund të shkojë deri në 500 milionë euro.

Kjo shifër e lartë është dhe infuzion për ekonominë e Kosovës, sidomos në rrethana të pandemisë kur disa biznise kishin regjistruar humbje të mëdha për shkak të mbylljes së përkohshme nga masat COVID-19”, thotë Krasniqi.

 

 

Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se në muajin qershor numri i personave që kanë hyrë përmes transportit rrugor ka qenë rreth 1milion e 900 mijë, në muajin korrik është rritur për 1milion e 33 mijë. Ndërsa, vetëm brenda 15 ditëve të muajit gusht në Kosovë kanë hyrë rreth 1 milion e 409 mijë persona.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” numri i udhëtarëve në muajin korrik ishte mbi 340 mijë, krahasuar me periudhën e njëjtë kohore të vitit 2020, ka pasur rritje për 60 mijë e 433 udhëtarë.

Në 15 ditë të muajit gusht janë realizuar 738 fluturime me rreth 92 mijë udhëtarë.

Përveç shpenzimeve që diaspora e Kosovës bën gjatë sezonit të verës, çdo vit Kosova pranon remitenca. Vetëm vitin e kaluar mjetet e ardhura nga diaspora kanë kapur vlerën prej 980.1 milionë euro.

 

\RTV-Okarina\