Nesër mbyllet afati e deri tani KQZ-ja pranon 9 600 apikacione për regjistrim si votues jashtë vendit

 

9 mijë e 600 aplikime ka pranuar deri të martën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), për regjistrim si votues jashtë vendit.

Këtë për “Indeksonline”, e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Ky i fundit ka thënë se afati për këtë periudhë përfundon më 18 gusht.

“Deri më tani kemi pranuar rreth 9 mijë e 600 aplikime për regjistrim si votues jashtë Kosovës. Afati për këtë periudhë përfundon më 18 gusht. Pas kësaj date do të kemi një raport të detajuar nga shërbimi votues se sa nga këta aplikues janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës dhe sa jo, pasi nuk kanë plotësuar kriteret ligjore”, ka thënë ndër të tjera Elezi.

 

Më tutje, ai ka bërë me dije se të gjithë aplikuesit që arrijnë të regjistrohen si votues jashtë Kosovës, do të mund të votojnë përmes postës në një fazë të mëvonshme e cila fillon më 15 shtator.

Krejt në fund ai ka bërë me dije se feltëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja më së largu deri më 15 tetor.

Ndryshe, një ditë më parë ka përfunduar afati për dorëzim në KQZ të kandidatëve për kryetar të komunave dhe asamble komunale.

Të njëjtit do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit.

Pas kësaj do të tërhiqet shorti i partive politike për t’i hapur rrugë më pas fushatës zyrtare për zgjedhje lokale, e cila do të zgjasë 30 ditë.