Analisti Faton Abdullahu ka aderuar në Partinë Demokratike të Kosovës.
Abdullahu ka thënë se ka arsye të shumta pse i është bashkuar kësaj partie, duke thënë se dyert e kësaj partie janë gjithmonë të hapura.
“Unë jam i bindur se një Parti politike vlerësohet nga rrënjët. Unë ju besoj rrënjëve të PDK-së, sepse besoj tek vlerat e luftës, tek UÇK -ja. UÇK është margaritar i qytetërimit evropian. Në këtë pjesë të Evropës Kosova fitoi miq perëndimorë falë luftës së UÇK -së me pushkë në dorë. Falë kësaj lufte lëvizën kufijtë në Ballkan ato u shtynë tutje në të mirë të interesave evro-atlantike. Unë besoj palëkundshëm në këto rrënjë të PDK-së ashtu sikundër besoj se degët e këtij trungut edhe mund të krasiten për tu bërë më të mira e më të shëndosha. PDK më ka bindur sot më shumë se kurrë se aty ku ka popullizëm, aty ajo di të vendos pragmatizëm, aty ku ka frikacakë dhe hezitim, ajo di dhe mund të kthej guxim, aty ku ka zhgënjim, aty di të kthej shpresë e besim dhe aty ku ka ndarje e përçarje di dhe mund të kthej bashkim”, ka thënë Abdullahu në një konferencë për media.
Kujtojmë se Abdullahu ka qenë zëdhënës i Qeverisë së Kosovës në kohën kur Isa Mustafa ishte kryeministër gjatë vitit 2016/17. /rtv-okarina