Shemsi Krasniqi nga grupi “Ilirët” është tërhequr nga pjesëmarrja në Festivalin e Birrës në Korçë. Përmes një video të publikuar në rrjetet sociale, këngëtari tha se do ta respektojë mendimin e shumicës që nuk duhet kënduar për shkak të pjesëmarrjes së Goran Bregoviq.
Tutje ai tha se ka menduar që kjo ka lidhje me artin por ka gabuar, por shtoi se nuk është politikan.
“Unë kam menduar se kjo ka lidhje me art, po nuk paska lidhje me art. Unë kam gabuar pak, e pranoj gabimin tim se jam muzikant, nuk jam politikan, nuk merrem me politikë. Kjo ka marrë konotacion politik dhe për këtë shkak kam vendosur të tërhiqem nga ky event, pasi shumica më kanë sygjeru të mos marrë pjesë. Unë nuk do t’i kundërvihem kërkesave tua, do ta respektoj shumicën dhe nuk do të shkojë në Korçë”, u shpreh këngëtari.
Ai tha se ka pasur dëshirë të këndojë në Korçë, por do të këndojë në rast se Bregoviq tërhiqet nga lista e pjesëmarrësve në festë.
“Kam pas dëshirë të shkoj në Korçë se s’kam kënduar kurrë në Korçë, kam pasur dëshirë ta këndoj këngën “Xhamadani vija vija” këngën për Adem Jasharin, por s’do të shkojë. Nëse ndodh që ai muzikanti të mos marrë pjesë, do të jem aty, por unë nuk do të jem në eventin e birrës në Korçë”, u shpreh ai.