Raporti më i madh ndonjëherë në botë për ndryshimet klimatike do të publikohet shumë shpejt, duke përcaktuar realitetin e zymtë të gjendjes së planetit.
Studimi është bërë nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), një grup i OKB -së që analizoi më shumë se 14 mijë punime shkencore.
Do të jetë vlerësimi më i azhurnuar se si ngrohja globale do të ndryshojë botën në dekadat e ardhshme.
Shkencëtarët thonë se ka të ngjarë të jetë një lajm i keq, por me “grimca optimizmi”, shkruan BBC.
Dhe ekspertët e mjedisit kanë thënë se do të jetë një “thirrje masive zgjimi” drejtuar qeverive për të ulur emetimet.
Hera e fundit që IPCC ka dalë me analizë për ngrohjen globale ishte në vitin 2013 dhe shkencëtarët besojnë se kanë mësuar shumë që nga ajo kohë.
Vitet e fundit, bota ka parë temperatura rekord, zjarre të tërbuara dhe përmbytje shkatërruese.
Disa dokumente të studiuara nga paneli tregojnë se disa nga ndryshimet që njerëzit po bëjnë pa dashje në klimë nuk do të përmbysen për qindra apo ndoshta mijëra vjet.
Gjetjet e IPCC-së të cilat do të zbulohen në një konferencë shtypi do të përdoren gjithashtu gjatë një samiti të madh të organizuar nga Mbretëria e Bashkuar në nëntor.
Alok Sharma, ministri i Mbretërisë së Bashkuar, që po udhëheq samitin, tha në fundjavë se botës po i mbaronte koha për të shmangur katastrofën dhe efektet e ndryshimit të klimës tashmë po ndodhnin.
\RTV-Okarina\