Driton Kuka: Një lagje e vogël e Kosovës i tregoi krejt botës së mund të garojnë ndaj të gjithëve

 

Trajneri i ekipit të xhudos së Kosovës, Driton Kuka, ka thënë se medaljet e arta olimpike të fituara nga xhudistet kosovare tregojnë se Kosova është në gjendje të garojnë ndaj gjithë botës me punë dhe përkushtim të madh.

 

 

Kosova ia fitoi dy medalje të arta në Lojërat Olimpike në Tokio, falë Distria Krasniqit në kategorinë deri në 48 kilogramë dhe Nora Gjakovës në kategorinë 57 kilogramë, raporton RTV  Okarina.

Fitoret e tyre e çojnë në tri në përgjithësi numrin e medaljeve të Kosovës në Lojëra Olimpike, pas të artës së parë në histori që Majlinda Kelmendi e fitoi në Rio 2016.

Duke folur nga Tokio për suksesin e ekipit të tij, Kuka tha: “Fatkeqësisht, Majlinda e pati dje një ditë jo të mirë. Arsyeja pse kam dashtë që Majlinda me garuar në lojëra olimpike, është ekipore. S’kam dashtë me e prishë konceptin e ekipit. Medalja e sotme e artë është me të vërtetë e jashtëzakonshme, por Majlindën duhet ta falënderoj sepse ka meritë të jashtëzakonshme.”

 

 

Ai shtoi: “Çdo garë, çdo medalje për Kosovën është rezultat i madh. Tash çka me menduar për dy medalje të arta olimpike edhe atë të Majlindës. Një lagje e vogël në Kosovë i ka tregu krejt botës që me punë e përkushtim mundemi me u shty me të gjithë. Kemi qenë shpirtërisht shumë të thyer dhe kjo pak ndoshta po e zbehë krejt festën e fitores së Norës sot dhe të gjithë të plagosurve u dëshiroj shërim të shpejtë. Kjo tregon se sa ne shqiptarët e duam vendin tonë dhe çfarë jemi në gjendje të bëjmë për atdheun tonë.”

Derisa Kelmendi dhe Akil Gjakova dështuan të fitojnë medalje, në garë për medalje mbetet Loriana Kuka.

Ajo do të garojë të enjten në kategorinë 78 kilogramë.

/RTV-Okarina