Qeveria vendos taksë të re prej 5 euro për regjistrimin e automjeteve, Haradinaj bën thirrje për protestë

 

Nga një shtatori qytetarëve të Kosovës do t’iu shtohet një kosto shtesë financiare me rastin e regjistrimit të automjeteve.

Ata do të detyrohen të paguajnë 4 euro e 90 cent shtesë për tikeketën ngjitëse. Kjo pasi Ministria e Infrastrukturës dhe kompania ‘Auto Control Kosova’, ka nënshkruar marrëveshje për ofrimin e tiketës ngjitëse me qëllim të konfirmimit të kontrollimit teknik të automjeteve.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

 

Ai ka thënë se qytetarët duhet të protestojnë kundër këtij vendimi.

Tutje shtoi se me këtë vendimi përfitojnë bizneset private dhe individët e lidhur me të, transmeton Telegrafi.

“Qeveria e Kosovës ka vendos një taksë krejtësisht të re, në vlerë prej 5 euro, në secilën herë që i regjistroni automjetet tuaja. Me këtë vendim përfiton një biznes privat dhe individët e lidhur me të, duke zbraz xhepat e qytetarëve me afro 2 milion euro në vit, të cilat nuk i shkojnë buxhetit të shtetit.Qytetarë të nderuar, PROTESTONI”, ka thënë Haradinaj në postimin e bërë në Facebook.

Më tej tha se “u protestua për pesë euro taksë për shfrytëzim të Rrugës së Kombit, ndërsa tani, pa asnjë arsye iu merren 5 euro për secilin automjet. Protestoni për të drejtat tuaja”.

/RTV-Okarina