Disa të zhdukur dhe gjashtë shtëpi të shembura nga vërshimet në Gjermani

 

Reshjet e mëdha të shiut dhe disa vërshime të rralla e kanë shkaktuar shembjen e gjashtë shtëpive në rajonin perëndimor gjerman, Rheinland-Pfalz, duke lënë disa njerëz të zhdukur e shumë të tjerë të ngujuar.

Sipas raportimeve të televizionit SWR, rreth 30 persona janë zhdukur dhe 25 shtëpi të tjera janë në rrezik që të shemben në distriktin Schuld bei Adenau, shkruan The Guardian.

 

 

“Ne tash për tash kemi një numër të panjohur të njerëzve në kulme të shtëpive, të cilët kanë nevojë të shpëtohen. Ende nuk kemi një pamje të saktë, sepse masat e shpëtimit janë duke vazhduar. Ka shumë vende ku janë dërguar brigadat e zjarrfikësve dhe punëtorët e shpëtimit”, tha një zëdhënës i policisë në Koblenz.

Dy zjarrfikës u mbytën në ujë dhe ushtria u dërgua për t’i ndihmuar banorët e ngujuar të mërkurën, pasi moti me shtypje të ulët shkaktoi vërshime që ndodhin një herë në gjeneratë.

Transporti rrugor, hekurudhor dhe lëvizja e anijeve nëpër lumenj janë penguar në rajonin më të populluar të Gjermanisë.

Shërbimi gjerman i motit lëshoi paralajmërim për mot ekstrem të mërkurën për disa pjesë të tri rajoneve perëndimore, ndërsa qyteti Hagen, me 180 mijë banorë, shpalli gjendje emergjente, pasi Lumi Volme doli nga shtrati i vet.

Pjesë të qytetit Hagen thuhet se janë izoluar nga vërshimet dhe janë të paqasshme. Ushtarët u desh të dërgohen për t’i pastruar disa zona të qytetit. Banorët u këshilluan që të largohen edhe nga një distrikt i kryeqytetit rajonal, Düsseldorf.

 

\RTV-Okarina\