Gjatë 24 orëve janë ngritur aktakuza ndaj 114 personave për vepra penale

 

Prokurori i Shtetit ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur 105 aktakuza, për vepra të ndryshme penale.

Në njoftimin nga Prokuroria e Shtetit, gjithashtu thuhet se me urdhër të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë 11 persona, si dhe janë bërë katër kërkesa për caktimin e paraburgimit të katër personave, të dyshuar se kanë kryer vepra të ndryshme penale.

 

 

Prokuroria Themelore në Prishtinë, me urdhër të prokurorit ka ndaluar pesë persona të dyshuar, ka paraqitur dy kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave, si dhe ka ngritur 41 aktakuza kundër 46 personave, për vepra të ndryshme penale, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.

Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar një person të dyshuar si dhe pranë Gjykatës kompetente ka parashtruar një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për një person. Ndërsa, nga kjo prokurori janë ngritur 17 aktakuza kundër 19 personave për vepra të ndryshme penale të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndërsa, Prokuroria Themelore në Pejë, gjatë 24 orëve ka ndaluar dy persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale, ka bërë një kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit të një personi, si dhe ka ngritur gjashtë aktakuza, kundër gjashtë personave për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur pesë aktakuza kundër pesë personave për vepra të ndryshme penale.

 

 

Prokuroria Themelore në Gjakovë, me urdhër të prokurorit kujdestar, është ndaluar një person i dyshuar në kohëzgjatje prej 48 orësh, si dhe, janë ngritur nëntë aktakuza kundër nëntë personave për vepra të ndryshme penale.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur 16 aktakuza kundër 16 personave, për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar dy persona për vepra të ndryshme penale, si dhe ngritur 11 aktakuza, kundër 13 personave, për vepra të ndryshme penale, thuhet në njoftim.