Sot gjatë ditës do të mblidhen disa komisione parlamentare, ku katër prej tyre do të nisin nga ora 10:00.
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës, për Persona të Pagjetur dhe Peticione do të mbajë takim lidhur me prezantimin e Raportit të shqyrtimit post-legjislativ të Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi.
Në ndërkohë, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike do të shqyrtojë Raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, për vitin 2020.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, Fadil Kodra, do të raportojë në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim do të diskutojë planin për mbikëqyrjen e procesit integrues 2020-2021 dhe inkuadrimi i të gjeturave në planin e punës se komisionit.
Me fillim nga ora 11:00 do të mblidhet edhe një komision tjetër. Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport pritet të shqyrtojë listën e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
Ndërsa dy komisione të tjera do të kenë mbledhje gjatë pasdites ku në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë do të raportojë Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, për planin dhe prioritetet e ministrisë për këtë vit.
Ndërsa, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti do të shqyrtojë raportin e panelit për zgjedhjen e “Drejtorit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit”.
\RTV-Okarina\