Kosova e ka ndërmend t’i shkojë deri në fund dhe të padisë Serbinë për gjenocid.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, në një intervistë në “ABC News Albania” tha se këtë, në emër të Kosovës mund ta bëjë edhe Shqipëria.
“Padia për gjenocid do të jetë padyshim një ndër dokumentet kryesor. Zyra e kryeministrit është duke punuar me një kujdes të shtuar, me seriozitet, me hapa të kujdesshëm, dhe është në bashkëpunim të plotë me institucione të tjera, sidomos me institucionin e presidentit, presidentes Osmani dhe kryetarit të kuvendit, për herë të parë në republikën e Kosovës, pas sa viteve, e kemi në të njëjtën faqe, në të njëjtin zë, presidenten, kryeministrin dhe kryetarin e kuvendit” tha ajo.
Por kanë kaluar tashmë 20 vjet. Një pjesë e dëshmitarëve kanë ndërruar jetë. Mbledhja e provave dhe dëshmive është edhe më e vështirë. Ministrja fajëson qeveritë e kaluara dhe misionet ndërkombëtare se nuk kanë bërë asgjë.
“Ka munguar vullneti politik. Fatkeqësisht ata që kanë qenë në ballë të luftës nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për t’i adresuar krimet e luftës” tha ajo.
Por Kosova ka edhe probleme të tjera. Qeveria Kurti ka përgatitur tashmë projektligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar. Por si do të eliminohet mundësia e keqpërdorimit të një ligji të tillë për të mos lejuar revansh politik?
“Jemi fokusuar në eliminimin e disa mundësive të keqpërdorimit të këtij mekanizmi, që do të jetësohet sapo ligji të hyjë në fuqi” tha Albulena Haxhiu.
Një nga premtimet e tjera të qeverisë Kurti është vettingu në sistemin e drejtësisë. “Kemi planifikuar që në gusht ta kemi draftin e parë të concept dokumentit. Ne tashmë kemi një pasqyrë sesi ka ndodhur vetingu në republikën e Shqipërisë, në mënyrë që ne të mësojmë nga gabimet që mund t’i ketë bërë Shqipëria, nga vështirësitë që ka pasur, duke pasur parasysh që për një kohë të gjatë, institucionet atje, shumë të rëndësishme, kanë mbetur jo-funksionale” tha Albulena Haxhiu.
Qeveria Kurti ka hapur shumë fusha aksioni në të njëjtën kohë. A do të arrijë t’i përmbyllë të gjitha? Do të pritet të shihet.
\RTV-Okarina\