Shtohet fluksi i ardhjes së mërgatës në Kosovë

 

Me fillimin e lehtësimit të masave kundër pandemisë COVID-19, mërgata e Kosovës ka filluar ta shtoj fluksin e ardhjes në vendin tonë.

Sipas zëdhënëses së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara brenda dy javëve janë realizuar 287 fluturime me 41 mijë e 662 udhëtarë.

 

“Nga data 7 deri 13 qershor janë 137 fluturime me 19 mijë e 750 udhëtarë në arritje dhe 18 mijë e 168 udhëtarë në shkuarje. Ndërsa, nga data 14 deri 20 qershor janë realizuar 150 fluturime me 21 mijë e 912 udhëtarë në arritje dhe 17 mijë e 517 udhëtarë në shkuarje”, tha për Telegrafin, Gara.

Po ashtu, mërgata vazhdon të jetë njëri nga burimet kryesore të financimit të shpenzimeve familjare në Kosovë. Që nga shpallja e pavarësisë, dërgesat e tyre kanë vazhduar të shënojnë rritje.

 

 

 

 

Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se brenda kësaj periudhe janë dërguar 12.6 miliardë euro.

Vlera më e madhe e remitencave është ajo e vitit 2020, ku pavarësisht pandemisë COVID-19 mërgata ka dërguar 1.18 miliard euro.

Ndryshe, nga rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, të cilët i janë përgjigjur regjistrimit është rreth 350 mijë.

 

\RTV-Okarina\