Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Shaip Kamberi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik dhe shef i Grupit parlamentar “Lugina e Bashkuar-SDA” në Kuvendin e Serbisë, së bashku me shefin e tij të kabinetit, Rahim Salihu.
Kryeministri Kurti dhe Kamberi biseduan për çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe në viset e tjera në Serbi.
Në takim u diskutua për të drejtat që i kanë shqiptarët përmes Këshillit Nacional Shqiptar, si edhe rrudhjen e tyre nga një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, nga janari i vitit 2014.
“Kryeministri Kurti dhe z. Kamberi diskutuan edhe për takimin e 15 qershorit në Bruksel, për dialogun e ardhshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi statusin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Temë e bisedës ishin edhe dy samitet e liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të mbajtura këtë muaj në Tiranë dhe në Vjenë”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.