​Sot fillon vaksinimi masiv kundër COVID-19

 

Sot në Kosovë fillon vaksinimi masiv kundër COVID-19.

Të gjitha qendrat e vaksinimit janë gati për imunizimin e qytetarëve.

 

 

“Me qëllim të mbarëvajtjes së procesit të vaksinimit, Ministria, në bashkëpunim me komunat, ka krijuar hapësira të reja për vaksinim; ka shtuar kapacitetet humane duke organizuar 279 ekipe të vaksinimit në nivel vendi; ka ngritur infrastrukturën e nevojshme me qëllim që procesi i vaksinimit në masë të fillojë dhe qytetarët të vaksinohen sipas kategorive të përcaktuara në Planin Shtetëror të vaksinimit kundër COVID-19 dhe kategorive të përcaktuara në tre fazat e këtij plani.

Aktualisht, janë duke u vaksinuar kategoria e personave mbi 65 vjeç dhe personat me sëmundje kronike, pa dallim moshe. MSh dëshiron të informojë, gjithashtu, se gjatë të gjitha fazave të vaksinimit, punonjësit shëndetësor e kanë pasur dhe e kanë të hapur mundësinë e vaksinimit; ndërsa krahas kategorive mbi 65 vjeç, deri tani janë vaksinuar edhe persona e hemodializës, personat me diabet, persona me sëmundje malinje si dhe persona me sëmundje të tjera kronike, pavarësisht moshës së tyre, gjithashtu.

 

 

Ministria e Shëndetësisë, u bën thirrje edhe një herë qytetarëve që të ndjekin udhëzimet e Ministrisë rreth vaksinimit, të regjistrohen dhe të aplikojnë për vaksinim kundër COVID-19 në platformën eKosova, ku aplikimi është thjeshtëzuar dhe një person mund të regjistrojë deri në 5 persona të tjerë. Po ashtu, kërkohet që pas marrjes së njoftimit për vaksinim, secili qytetar të vaksinohet në lokacionin, sipas vendbanimit të tij”, thuhet në njoftimin e MSh-së.