Haxhiu: Kemi shumë sfida përpara, por jemi përkushtuar që Kosova të jetë shtet i së drejtës

 

Në kuadër të takimit të 5-të virtual të Nën-Komisionit për Drejtësi, Liri dhe Siguri, organizuar nga Komisioni Evropian, ka marrë pjesë Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe zyrtarë të tjerë nga Ministria e Drejtësisë.

Sipas njoftimit, pas fjalës hyrëse të Zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu diskutoi për rëndësinë e sundimit të ligjit dhe përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë në kompletimin e politikave adekuate dhe adresimin e prioriteteve të Ministrisë së Drejtësisë.

 

“Qeveria jonë është e vetëdijshme për sfidat që ka para vetes megjithatë jemi shumë të përkushtuar që shteti i Kosovës të jetë shtet i së drejtës. Për këtë padyshim që nevojiten hapa serioz, të mirë menduar dhe bashkëpunim ndërinstitucional”, deklaroi Haxhiu.

Ministrja Haxhiu theksoi punën që është bërë nga Ministria e Drejtësisë në adresimin e prioriteteve siç është lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, rishikimi funksional, vettingu dhe prioritetet tjera që lidhen me dhunën në familje dhe adresimin e krimeve të luftës.

Në përfundim të diskutimit, ministrja potencoi interesimin e plotë dhe obligimin që konsideron Qeveria, në kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë dhe për rëndësinë e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës. Kosova ka nevojë për institucione të drejtësisë plotësisht të pavarura.

 

 

 

 

Në kuadër të takimit të 5-të të Nën-Komisionit për Drejtësi, Liri dhe Siguri, në fjalimin hyrës kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga institucione të tjera, si Zyra e Kryeministrit, Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe përfaqësues nga institucionet tjera të drejtësisë në Kosovë.

Takimi dhe diskutimi virtual i Nën-Komisionit për Drejtësi, Liri dhe Siguri do të vazhdojë gjatë tërë ditës së sotme dhe ditën e nesërme, 10 qershor, me temat përkatëse.

 

\RTV-Okarina\