Lajçak mbyll vizitën në Kosovë: Takime produktive, dialogu rinis këtë muaj

 

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak ka përmbyllur vizitën e tij dy ditore në Kosovë.

Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Lajçak, u takua me udhëheqësit e Kosovës për të bërë përgatitjet për takimin e parë të nivelit të lartë të Dialogut Beograd-Prishtinë i cili është planifikuar të mbahet në fund të këtij muaji.

 

 

Ky ishte fokusi i konsultimeve të tij që kishte me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministrin Albin Kurti, Zëvendëskryeministrin e Parë për Integrimin Evropian, Zhvillimin dhe Dialogun Bislimi, Zëvendëskryeministren e dytë, Ministren e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës Gërvalla.

“Vizita ime në Kosovë ishte një vizitë produktive me qëllimin kryesor për të siguruar përgatitjen sa më të mirë të takimit të liderëve në Bruksel më vonë gjatë qershorit”, tha Lajçak.

Në Kosovë, Ambasadorit Lajçak iu bashkua Mattheë A. Palmer, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, përgjegjës për Ballkanin Perëndimor dhe Egjeun dhe Përfaqësues i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

 

 

“Sot jam këtu me mikun tim të mirë Matt Palmer, gjë që është një shenjë e bashkëpunimit tonë të ngushtë transatlantik”, përfundoi Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së.

Lajçak gjithashtu u takua me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare dhe krerë të shteteve anëtare të BE-së në Kosovë.

Nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë thonë se gjatë kësaj jave, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Lajçak, do të vizitojë Beogradin për të vazhduar përgatitjet për takimin e nivelit të lartë.